Familjarët e Faton Hajrizit, trupi i të cilit u kthye mbrëmë vonë në Kosovë, po qëndrojnë përpara Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Në fotografitë e siguruara nga Klankosova.tv shihet se e pranishme përpara IML-së është edhe nëna e Faton Hajrizit.
Ndërsa, gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, ka thënë se para oborrit të IML-së i ka parë familjarët e Faton Hajrizit me maska e rroba adekuate për të hyrë në morg.
Trupi i Faton Hajrizit është kthyer mbrëmë në Kosovë, pas insistimit të avokatit të familjes Hajrizi, Arianit Koci, i cili tha se pati bashkëpunim të ngushtë edhe me ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Zyrën Ndërlidhëse.
Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se pas mbërritjes së trupit “institucionet e Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”.
Faton Hajrizi ishte vrarë më 19 korrik të këtij viti në Lloznicë të Serbisë, nga ana e policisë serbe.