Një zjarr në një klub nate në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 51 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve, ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski.

Ai gjithashtu citohet të ketë deklaruar se “ka shumë të tjerë të lënduar”, raporton Kanal 5.

Të lënduarit nga zjarri i Koçanit mëngjesin e sotëm po transportohen me helikopter në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, ku deri më tani janë transportuar 27 të lënduar, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën, raporton Kanal 5.

Pamje nga vendi i ngjarjes. Burimi: Alsat M.

Sipas mediave lokale, zjarri dyshohet se shpërtheu rreth orës 3 të mëngjesit, për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë një koncerti ku ishin të pranishëm rreth 1.500 persona, pas së cilës ndodhi një kaos për të dalë jashtë.

Zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të ofruar ndihmë dhe për të kontrolluar situatën.

Ndërkohë, shumë qytetarë të shqetësuar janë mbledhur pranë ndërtesës në kërkim të informacionit për familjarët e tyre.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për REL.

Autoritetet kanë njoftuar se do të dalin me më shumë detaje gjatë ditës.