Qindra mijëra njerëz janë mbledhur sot në Beograd për protestën e madhe të thirrur nën sloganin “15 për 15”, që i referohet numrin të njerëzve që humbën jetën nga incidenti në stacionin e trenit në Novi Sad, e cila do të nisë nga ora 16:00.

Përpos tyre, në Parkun Pionieri, që gjendet mes të Presidencës së Serbisë dhe Kuvendit të Serbisë, janë vendosur në kampe një grup tjetër studentësh që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve. Ata e quajtën veten “Studentët 2.0” dhe thanë se janë “studentët që duan të mësojnë”.

Mediumi serb “Nova.rs” ka raportuar se në Pakurn Pionieri kanë arritur burra të maskuar me të zeza. Dhjetëra prej tyre janë filmuar mëngjesin e sotëm, raporton ky medium.

Ndërkohë, dje një medium serb raportoi që grupi që mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës ka mbërritur në Beograd dhe është i gatshëm për t’u përdorur nga presidenti serb dhe inteligjenca serbe kundër protestuesve.

Këtë skenar s’e përjashtoi as analisti serb, Dushan Janjiq, i cili në Euroneës Albania tha se ka zëra se diçka e tillë mund të ndodhë në protestën e madhe që do të mbahet sot.

“Mund të ketë spekulime, por ajo që di është se ka disa zëra nga struktura të brendshme të inteligjencës së vendeve të tjera se diku te 800 njerëz – si njerëzit që morën pjesë në sulmin e Banjskës –  janë të përgatitur, disa prej tyre nga Republika Srpska. Po ashtu, nuk duhet të harrohet se të njëjtat struktura që morën pjesë në Banjskë në Kosovë dhe tanimë janë duke folur me Dodik në Republikën Srpska, janë të trajnuar në Rusi”, tha ai.