Prokuroria e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të ndërmarr veprime hetimore lidhur me sulmin verbal të Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ndaj gazetarëve.

Në një përgjigje për Dukagjinin, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar lajmin.

“Lidhur me pyetjen tuaj e konfirmoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës me ndërmarrjen e veprimeve hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për Dukagjinin.

Pyetjeve të gazetares së “Nacionale”, Sami Kurteshi u kishte refuzuar t’u përgjigjej, duke i thënë asaj se: “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë“.

Lidhur me deklarimet e Kurteshit, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Sipas AGK-së, gjuha e përdorur nga Kurteshi është e rrezikshme.

“AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve” – thuhet në reagimin e AGK-së më 12.03.2025.