U.D drejtori i Autoritetit të Pellgjeve, Naser Hafizi, i dyshuar për një çështje korrupsioni e fshehje të pasurisë për të cilën hetimet janë zgjeruar, u lirua nga paraburgimi dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Hafizi hetohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, shpëlarje të parave, dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.

I arrestuar në tetor të vitit të kaluar, në Aeroportin e Prishtinës, Hafizit, disa herë i është vazhduar masa e paraburgimit, si i dyshuar për skandalin e faljes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit.

Por çka thuhej në dosjen e Prokurorisë për Hafizin?

Ai dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar dhe atë në cilësinë e Zëvendësuesit të Drejtorit të ARPL-së në MMPHI, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin për Ujërat e Kosovës, si dhe Udhëzimin Administrativ për Strukturën e Pagesave të Taksave Ujore – e po ashtu ka anashkaluar në tërësi Raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar me qëllim të përllogaritjes së borxheve të Operatorëve Ekonomik.

Raporti tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë ishte 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore dhe pa verifikuar gjendjen faktike, ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.