Të vdekurit nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan janë nga Shkupi, Shtipi, Probishtipi dhe Koçani dhe komunat përreth. Viktimat ishin të moshës nga 14 deri në 25 vjeç. Pronari i diskotekës, ku ka ndodhur zjarri në Koçan, me ç’rast kanë humbur jetën të paktën 60 persona, është arrestuar. Fletëarrest është shpallur edhe për katër persona, ndërsa licenca për punë diskotekës i kishte skaduar që më 24 mars vitin e kaluar

Shkup, 16 mars  -Maqedonia e Veriut është zgjuar dje me lajmin ndër më të kobshmit në historinë e saj – 59 të rinj dhe një polic kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në klubin e natës “Plus” në Koçan. Të rinjtë humbën jetën teksa po argëtoheshin me muzikë live, në koncertin e grupit të njohur maqedonas “DNK” ndërkaq nga videot e publikuara nga momenti i shpërthimit, vërehet se si zjarri ka shpërthyer në pjesën e sipërme të platosë, ku po digjeshin disa fishekzjarrë. Ndërkaq 155 persona janë shtruar nëpër spitale pas tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan, ndërkohë që 20 janë në gjendje kritike. Në një mbledhje urgjente të Qeverisë, kjo e fundit ka marrë vendim për shpalljen e shtatë ditë zie  në Maqedoninë e Veriut. “Qeveria në seancën e sotme ka marrë vendim për shtatë ditë zie për tragjedinë e Koçanit. Gjithashtu do të merret vendim për një inspektim urgjent dhe të jashtëzakonshëm në të gjitha lokalet e natës, diskotekat dhe restorantet që organizojnë festa”, thuhet në informacionin nga Qeveria.

NUMRI I VIKTIMAVE ARRIN NË TË PAKTËN 60, PREJ TË CILËVE 35 JANË IDENTIFIKUAR

Është shpallur fletëarrest qendror për katër persona, lidhur me zjarrin në diskotekën në Koçan, i cili shpërtheu mbrëmë, ndërsa në të cilin, sipas informacioneve të cilat i disponojnë kompetentët deri në mesditë kanë ndërruar jetë 59 persona, prej të cilëve 35 janë identifikuar, ndërsa prej tyre 31 janë nga Koçani, katër janë nga Shtipi. Siç deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sipas të dhënave zyrtare, nga zjarri janë lënduar 155 persona, të cilët janë hospitalizuar në spitalet në shtet.

“Nga ana e MPB-së në koordinim me prokurorinë publike veprohet në këtë moment edhe në Ministrinë e Ekonomisë, prej ku sigurohet dokumentacion për diskotekën, si dhe persona që kanë lidhje me të njëjtën”, deklaroi Toshkovski, ndërsa shtoi se ka ndërruar jetë edhe një polic. Pronari i diskotekës, ku ka ndodhur zjarri në Koçan, me ç’rast kanë humbur jetën të paktën 60 persona, është arrestuar. Diskoteka private ku ka ndodhur zjarri në Koçan ka punuar disa vite, ndërsa i arrestuari ka qenë vazhdimisht në strukturën pronësore të objektit. Licenca për punë të diskotekës kishte skaduar më 24 mars vitin e kaluar.

MOSHA E VIKTIMAVE, NGA 14 DERI 25 VJET!

Drejtoresha e spitalit të Koçanit, dr. Kristina Serafimova, në një konferencë për shtyp deklaroi se të vdekurit nga zjarri në diskotekën mbrëmë në Koçan janë nga Shkupi, Shtipi, Probishtip dhe Koçani dhe komunat përreth. Viktimat ishin të moshës nga 14 deri në 25 vjeç. Ajo tha se tek ata aktualisht po mbahen persona të lënduar më lehtë të moshës 18 deri në 23 vjeç.

“Pacientët janë ekzaminuar këtë, është bërë triazhi. Deri në Spitalin klinik në Shtip janë transferuar pacientët të lënduar më rëndë, ndërsa të intubuarit janë dërguar direkt në Klinikat e Shkupit “8 Shtatori” dhe “Shën Naumi i Ohrit”. Bëhet fjalë për rreth 70 pacientë të cilët u ekzaminuan. Fatkeqësisht ka pasur edhe persona të vdekur. Pacientët ishin me djegie dhe helmim me monoksid karboni. Mbështetje oksigjeni iu ofrua të gjithë pacientëve të ekzaminuar. Në spitalin tonë ka rreth 20 pacientë me simptoma më të lehta, të gjithë të tjerët, mbi gjysma e atyre që kanë mbërritur janë transferuar në klinikat në republikë”, deklaroi Serafimova.

Ata janë alarmuan për zjarrin në orët e para të mëngjesit. Thirrja e parë nga diskoteka në Koçan për zjarr është marrë në orën 02:48. “Brenda 30 minutave është mobilizuar i gjithë spitali, të gjithë mjekët, të gjithë infermieret, të gjithë infermierët janë në shërbim nga ora tre e mëngjesit. Dhe ata filluan të sillnin pacientët e parë. Meqenëse kemi pasur një numër më të vogël të automjeteve, kemi kontaktuar me të gjithë drejtorët në gjithë Maqedoninë Lindore, por edhe nga Shkupi kanë dërguar autoambulanca edhe nga Velesi, tha drejtoresha e Spitalit të Koçanit. Ajo theksoi se aktualisht po kryhet identifikimi i personave të vdekur. Numri i tyre do të bëhet i ditur nga Prokuroria ja kompetente.

KOCEVSKI: HETIMI DO TË JETË I SHPEJTË DHE I PLOTË

Prokurori Publik, Lupço Kocevski, në deklaratën e parë për mediat deklaroi se sipas njohurive të para, mjetet piroteknike e shkaktuan zjarrin në diskotekën në Koçan, por theksoi se nuk mund të thotë asgjë më shumë sepse po bëhet mbikëqyrje në vendin e ngjarjes. Tre prokurorët publikë po kryejnë mbikëqyrje në vendin e zjarrit në Koçan dhe po i grumbullojnë dëshmitë e nevojshme. Kocevski paralajmëroi më shumë informacione pas përfundimit të mbikëqyrjes, do të jepen urdhra dhe do të merren në pyetje shumë persona.

“Mund të garantoj se hetimi do të jetë me të vërtetë i plotë, i shpejtë. Do të angazhojmë ekspertë nga të gjitha lëmit kështu që do t’i shohim shkaqet dhe do të shohim e kujt është përgjegjësia”, tha Kocevski. Prokurori tha se për momentin prokurorët publikë po japin urdhra lidhur me përgjegjësinë si horizontale, ashtu edhe vertikale dhe personat eventual që mund të përfshihen dhe të ketë përgjegjësi për këtë ngjarje.

“Pasi u njoftua Prokuroria Publike formuam ekip prej pesë prokurorëve publikë, me atë që dy prokurorë publikë nga PTHP Shkup, një prokuror publik nga PTHP Shtip dhe dy prokurorë publikë nga PTHP Koçan. Disa nga prokurorët janë në teren, ndërsa të tjerët po japin urdhra për veprime të caktuara”, theksoi prokurori. Kocevski u shprehu ngushëllime familjeve të të vdekurve, qytetarëve të Koçanit dhe gjithë popullit në Maqedoninë e Veriut. “Bëhet fjalë për tragjedi të madhe”, tha ai.

TARAVARI: TË LËNDUARIT RËNDË  NGA ZJARRI DO TË DËRGOHEN PËR SHËRIM JASHTË SHTETIT

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka njoftuar se rreth 20 pacientë që kanë pësuar rëndë nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan, do të dërgohen për shërim jashtë shtetit. Taravari tha se ka disa shtete që kanë ofruar ndihmë, por që anesteziologët do të vendosin se në cilat shtete do të dërgohen të njëjtit.

“Sipas anesteziologëve tanë, ndoshta nga 18 deri 20 pacientë do të ketë nevojë t’i transportojmë jashtë shtetit për shërim të mëtutjeshëm, flas për ata që janë më kritik, gjithsej rreth 20 pacientë janë në gjendje më kritike. Në Bullgari disa pacientë do të jenë, në Turqi, në Greqi, në Beograd, edhe nga Shqipëria në janë lajmëruar, tretman na kanë ofruar edhe nga Holanda, po unë ia kam lënë ekipit të anesteziologëve që të përcaktojnë, se ku vlerësojnë ata se do të ishte më mirë për tretman të mëtutjeshëm të këtyre pacientëve më kritik, flas vetëm për ata në gjendje kritike”, tha Taravari, ndërsa edhe një herë ka shprehur dhimbjen dhe përkushtimin për shpëtimin e sa më shumë njerëzve.

“Një tragjedi e rëndë ka goditur Koçanin, duke shkaktuar humbje të mëdha dhe tronditur mbarë opinionin publik. Tragjedia që ka ndodhur në Koçan është më e madhe se çdo fjalë… Puna jonë është e përqendruar që të shpëtojmë sa më shumë njerëz… Ngushëllime familjarëve të viktimave në këtë dhimbje të tmerrshme!”, tha ministri Taravari.