Dje gazeta Nacionale raportoi për vazhdimin e kontratës për vetura me qira edhe për gjashtë muaj për 34 mijë euro, kontratë që ishte quajtur korruptive.
Në lidhje me këtë çështje tash ka folur edhe Adi Krasta, zëvendësdrejtor gjeneral i RTK-së.
Ai ka pretenduar se nuk e ka ditur që më përpara është quajtur kjo kontratë korruptive.
“Ka pasur një pyetje nëse unë e di që kontrata e dikurshme ka qenë një kontratë që dikur është quajtur korruptive. Unë nuk e kam ditur më përpara, natyrisht e di tani. Unë nuk jam gjykatës, as prokuror, por ne si RTK nuk kemi marr një dokument zyrtar që marrëveshjet e deritashme janë korruptive ose në një hetim për korrupsion, apo nuk kemi një dokument me firmë e vulë nga këto institucione ligj zbatuese që të na thonë neve që ta ndërpresim marrëdhënien ose të mos merremi me të” – ka thënë Krasta në një konferencë për media.
Tutje, siç transmeton RTK, Krasta ka dhënë edhe disa hollësi të tjera.
“Ngjarja me veturat është kështu. Marrëveshja e vjetër mbaroi. RTK-ja do të duhej të kishte bërë përpjekje më përpara për një operator të ri sepse nuk ishte marr vesh mirë Bordi i dikurshëm me Menaxhmentin e dikurshëm. RTK-ja e kapi vetën të papërgatitur të gjejë një operator të ri. Operatori i vjetër kishte mbaruar marrëveshjen me ne, por në marrëveshjen kornizë thuhej kështu: Nëse marrëveshja jonë e veturave mbaronte ju nuk jeni gati ta gjeni një operatorë të ri, atëherë mund ta zgjasni marrëveshjen tuaj për disa muaj nëse operatori vendoste të shpenzonte shumë pak” – ka thënë Krasta.