Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka hapur një tender në vlerë 10 mijë euro për blerje të hapësirës mediale në TV Nacionale.

Fushata zgjedhore ende nuk ka filluar zyrtarisht në Kosovë, por partitë politike çdo ditë janë duke mbajtur tubime.

Jashtë kësaj fushate nuk ka mbetur as kryeministri Kurti, i cili vikendet po i kalon jashtë Kosove, duke takuar qytetarë.

Por, Kurtit duket se as kjo nuk po i mjafton. Zyra e tij ka hapur një tender përmes të cilit po pretendohet të blihen disa sekonda nëpër televizione, shkruan Demokracia.com.

“Blerja e hapësirës mediale në TV Nacionale. Vlera e parashikuar e kontratës: 9,990.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 25.11.2024”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Në dosjen e tenderit është treguar se si është blerë kjo hapësirë në media.

“Blerja e hapësirës mediale në TV Nacionale për nevojat e ABGJ-së Nr. i Porosive / 2 Muaj. Transmetimi i video-spoteve të realizuara të cilat i posedon ABGJ. Transmetimi të bëhet në kohën më të shikuar të TV (Prime time) para transmetimeve të lajmeve ose menjëherë pas kohës së transmetimit të tyre. Blerja e hapësirës mediale në TV Nacionale të Licensuara (për 4000 sec). Sqarim: Video spoti mund të zgjasë nga 60-100 seconda. Numri i porosive për 2 muaj sipas nevojës së ABGJ-së. Nr. i përafërt i sec. është përcaktuar në ofertën financiare”. /Demokracia.com/